Zbatimi i detyrave funksionale

Në zbatim të Ligjit Nr.8363, datë 01.07.1998, “Për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”, Rregullores së Zyrës si dhe Programit të Punës, Zyra për vitin 2008 ndoqi dhe realizoi detyrat funksionale si më poshtë vijon:

1. Është realizuar detajimi i fondeve buxhetore të akorduara për paga, sigurime shoqërore, shpenzime për mallra e shërbime dhe investime; për çdo gjykatë. Në funksion të kësaj, janë hartuar dhe dërguar gjykatave, në muajin Janar, tabelat e detajimit të fondeve sipas artikujve dhe për investimet të ndara sipas objekteve. Gjithashtu u është dërguar gjykatave lista e pajisjeve të miratuara për vitin 2008.

2. Rakordimin e fondeve buxhetore, të akorduara dhe të realizuara, për vitin 2007, me gjykatat dhe Drejtorinë e Buxhetit në Ministrinë e Financave brenda afateve kohore. Në periudhën Janar-Shkurt është kryer rakordimi i fondeve buxhetore të akorduara për vitin 2007 si me gjykatat ashtu edhe me Drejtorinë e Buxhetit në Ministrinë e Financave, proces ky i cili ka përfunduar në datën 25 shkurt dhe është kryer brenda afateve të caktuara.

3. Hartimin dhe dërgimin në Agjencinë e Prokurimit Publik të regjistrit përmbledhës të parashikimit të prokurimeve publike, për shpenzimet operative dhe investimet, për vitin 2008.

Në muajin Janar, u janë dërguar gjykatave, për plotësim, formularët e regjistrit të parashikimit të prokurimeve publike për shpenzimet operative dhe investimet për vitin 2008. Është grumbulluar nga gjykatat informacioni për prokurimet që do të kryhej si dhe është hartuar dhe dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik, brenda afatit të përcaktuar, Regjistri Përmbledhës i Parashikimit të Prokurimeve Publike për Pushtetin Gjyqësor për vitin 2008. Një kopje e këtij regjistri është dërguar edhe në Degët e Thesarit nëpër rrethe.

Gjatë vitit është ndjekur realizimi i:

  • Regjistrit Përmbledhës të Realizmit të Prokurimeve, për Pushtetin Gjyqësor - çdo 4/mujor.
  • Ndryshimeve të kërkuara, nga gjykatat, në regjistrat e parashikimit të prokurimeve.

4. Hartimin dhe mbylljen e llogarisë vjetore të Z.A.B.GJ. dhe bilancit përmbledhës të Pushtetit Gjyqësor, për vitin 2007.

Në muajin Shkurt është hartuar mbyllja e llogarisë vjetore të ZABGJ-së për vitin 2007. Një kopje e saj është dorëzuar në Degën e Thesarit të Rrethit brenda afateve të përcaktuara nga Ministria e Financave. Gjithashtu në periudhën Shkurt-Mars është punuar për mbylljen e llogarisë vjetore të vitit 2007, për Pushtetin Gjyqësor. Nga specialisti i Zyrës, në zbatim të Udhëzimit të Ministrisë së Financave, nr.14, datë 28.12.2006 “Për përgatitjen e pasqyrave financiare vjetore të vitit 2006”, të ndryshuar, është punuar për kontrollin e bilancit të çdo gjykate, duke bërë në bashkëpunim me Kryetarët e Degëve të Buxhetit edhe korrigjimet e nevojshme në to. Jashtë afatit të përcaktuar, është paraqitur bilanci nga Gjykata e Rrethit Mat dhe Dibër. Pavarësisht kësaj, Bilanci përmbledhës për Pushtetin Gjyqësor, është paraqitur në Ministrinë e Financave brenda afatit të përcaktuar dhe nuk ka patur vërejtje lidhur me të.

5. Gjatë muajit Shkurt është punuar dhe u është dërguar gjykatave:

  • Udhëzimi për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2008.
  • Formularët bazë për raportimin e fondeve buxhetore, të ardhurave dhe regjistrit të realizimit të prokurimeve publike. Theksojmë se formulari i raportimi të fondeve buxhetore u pasurua me zëra të tjerë shpenzimesh, pra u bë më analitik se viti i kaluar, duke synuar në këtë mënyrë eleminimin vit pas viti të shpenzimeve të përfshira në emërtimin “Të tjera”.

6. Në muajin Mars, është realizuar rakordimi përfundimtar i fondeve buxhetore të akorduara dhe realizuara për vitin 2007, për çdo gjykatë, për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative, investime dhe të ardhura. Materiali përfundimtar është paraqitur pranë Drejtorisë së Thesarit në Ministrinë e Financave, brenda afatit të përcaktuar. Ky rakordim në vazhdimësi është kryer çdo 4/mujor, për të saktësuar shifrat midis ZABGJ-së dhe Ministrisë së Financave në funksion të rakordimit në fund të vitit buxhetor.

7. Është ndjekur realizimi i të ardhurave të grumbulluara dhe të përdorura nga gjykatat çdo 4/mujor.

8. Është ndjekur në mënyrë kronologjike ecuria e fondeve buxhetore korrente dhe kapitale për çdo gjykatë. Kjo, nëpërmjet përgatitjes çdo muaj në mënyrë analitike, të pasqyrave përmbledhëse për pagat, sigurimet shoqërore, shpenzimet operative dhe investimeve.

9. Marrëdhëniet e Zyrës me Ministrinë e Financave kanë ecurinë e mëposhtme:

  • Realizimi i investimeve për Pushtetin Gjyqësor raportohet në Drejtorinë e Buxhetit, çdo muaj .
  • Realizimi i fondeve buxhetore korrente, për Pushtetin Gjyqësor, raportohet në Drejtorinë e Thesarit, çdo 2/mujor .
  • Realizimi i fondeve buxhetore korrente, për Pushtetin Gjyqësor, raportohet në Drejtorinë e Buxhetit, çdo 3/mujor .
  • Fondet në valutë, për Pushtetin Gjyqësor, raportohen çdo muaj.

10. Është ndjekur nga specialisti i financës, ecuria e fondeve buxhetore për ZABGJ-në si dhe janë kryer regjistrimet në librat kontabël për aktivitetin e saj.

11. U realizuan prokurimet masive për plotësimin e nevojave të gjykatave sipas objekteve: “Blerje letre” me fond limit 1.375.000 lekë, “Blerje poltrona rrotullues për Gjykatën e Rrethit Fier” me fond limit 881,550 lekë, “Hartimi i projektit për rikonstruksionin e plotë të Gjykatës së Rrethit Fier” me fond limit 1.666.667 lekë dhe “Blerje Pajisjesh Elektronike” me fond limit 4.324.000 lekë.

12. Auditimi i gjykatave sipas një plani vjetor të miratuar nga Bordi i Zyrës.

13. Planifikimi dhe menaxhimi i investimeve, në infrastrukturën e Pushtetit Gjyqësor.

Përsa i përket investimeve, për të patur në çdo moment një informacion të saktë lidhur me ecurinë e tyre, ndjekja është realizuar nëpërmjet pasqyrimit në tabela të veçanta, ku në një model paraqitet realizimi sipas objekteve dhe në një tjetër të dhëna lidhur me çdo prokurim të kryer.

Në këtë mënyrë sigurohet informacioni i nevojshëm mbi përdorimin e të gjithë fondeve buxhetore gjatë vitit, i cili shërben si bazë për rialokimet në fonde për gjykatat dhe një menaxhim sa më të mirë të tyre. Realizimi i fondeve buxhetore në fushën e investimeve janë pasqyruar më në detaje në kapitullin përkatës.

14. Ndjekja e situatës së transportit, në Pushtetin Gjyqësor.

15. Për vitin 2008, në ndryshim nga vitet e tjera, procesi i hartimit të projektbuxhetit, filloi në muajin Mars. Ky ishte viti i parë që Pushteti Gjyqësor u përfshi në hartimin e projekt-buxhetit afatmesëm 3/vjeçar. Përfshirja në këtë program kërkoi një angazhim dhe përkushtim edhe më të madh. Në muajin Mars, gjykatave iu dërgua udhëzimi së bashku me orientimet për hartimin e PBA-së për periudhën 2009-2011.

Pjesa kryesore e punës për hartimin e tij u fokusua në ZABGJ, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion për përfshirjen e plotë të gjykatave në këtë proces.

Në ndryshim nga vitet e kaluara ky proces u udhëhoq nga Grupi i Punës për Strategji Buxheti dhe Integrim. Dokumenti bazë mbi të cilin u mbështet hartimi i këtij buxheti është Deklarata e Politikës së Programit Buxhetor. Kjo deklaratë u zbërthye më pas në objektiva, produkte dhe aktivitete. Hartimi i tij u krye duke konstatuar në mënyrë të hollësishme çdo element si për shpenzimet korrente ashtu edhe investimet.

Në fazën e parë të PBA 2009-2011, u dorëzua në Ministrinë e Financave brenda datës 31 Maj, afat ky i përcaktuar sipas udhëzimit përkatës. Në fazën e tij të dytë, në muajin Gusht, u bënë edhe plotësimet e nevojshme sipas udhëzimit të ministrisë për këtë qëllim, duke përfshirë edhe ndryshimet ligjore në pagat e gjyqtarëve dhe administratës. Gjithashtu, projekt-buxheti u hodh edhe në softin e PBA-së në Ministrinë e Financave. I gjithë ky proces u mbyll në kohë dhe me sukses.

Për vitin 2009, me qëllim njohjen më mirë të gjykatave dhe përfshirjen aktive të tyre në këtë proces, është menduar organizimi në muajin Mars i një takimi me gjykatat, ku do të prezantohen elementet e rinj të përfshirë në procesin e hartimit të PBA-së si edhe mënyra e re e raportimit në funksion të tij.

16. Gjatë vitit janë kryer rialokime në fonde për shkak të situatave të krijuara. Për më gjërë në kapitullin përkatës.

17. Është marrë pjesë në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarit vjetor të institucionit, nxjerrjet jashtë përdorimit dhe asgjësimin e tyre.

18. Është azhornuar situata mbi nevojat e gjykatave për kompjutera, printera, fotokopje, pajisje zyre e salla gjyqi etj., me qëllim plotësimin në vazhdimësi të tyre. Janë kryer gjatë vitit miratime për kalim kapital të pajisjeve nga një gjykatë te tjera. Gjithashtu gjykatat kanë kryer edhe nxjerrje jashtë përdorimi të pajisjeve për shkak të dëmtimeve të tyre. Këto ndryshime janë reflektuar në dosjen e krijuar për çdo gjykatë.

19. Me mbylljen e aktivitetit të Gjykatës së Apelit Ushtarak, me shkresën e Ministrit të Drejtësisë nr.5537/6, datë 22.08.2008më, datë 31 Gusht të vitit 2008, personat e autorizuar nga Zyra u angazhuan për marrjen në dorëzim të aseteve, inventarit ekonomik dhe dokumentacionit financiar të Gjykatës.

20. Në vazhdimësi është punuar në fushën e pagave duke ndjekur ndryshimet e ndodhura gjatë vitit në këtë drejtim. Janë përcjellë pranë Administratës Publike, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave mendime për projekt-vendime dhe vendime të cilat kanë prekur edhe pagat e administratës gjyqësore si dhe çeshtje të lidhura me pagat. Ndryshimet në fushën e pagave të administratës gjyqësore, që u bënë gjatë vitit 2008, kanë edhe kontributin e Zyrës.

21. Është punuar, nëpërmjet pjesëmarrjes në grupin e punës dhe takimeve të organizuara, duke dhënë kontributin në përmirësimin e projekt-strategjisë sektoriale të Drejtësisë, dhe konkretisht për pjesën që i referohet institucionit tonë. Gjithashtu është marrë pjesë edhe në mbledhjet e grupit teknik ndërinstitucional pranë Komitetit Këshillimor për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe grupin e punës të ngritur pranë ZABGJ-së për hartimin e Planit Strategjik të institucionit për një periudhë 3/vjeçare.

Është punuar për përgatitjen e materialeve të paraqitura në Bord si më poshtë:

  • Mbi Projekt-Buxhetin Afatmesëm për Pushtetin Gjyqësor për periudhën 2009-2011.
  • Miratimi i transferimeve në fondin e investimeve.
  • Miratimi i transferimeve në fondin e pagave dhe sigurimeve shoqërore.
  • Detajimi i buxhetit suplementar, miratuar me Ligjin nr.9969, datë 24.07.2008 “Për disa ndryshime në Ligjin nr.9836, datë 26.11.2007 “Për buxhetin e shtetit të vitit 2008”, për shpenzimet operative për Pushtetin Gjyqësor.
  • Mbi detajimin e fondeve buxhetore korrente dhe kapitale të akorduara me Ligjin e Buxhetit të Shtetit nr.10025, datë 24.11.2008 “Për Buxhetin e Shtetit për vitin 2009”.

Vështirësitë e hasura :

  • Në disa raste informacionet e përcjella nga gjykatat janë sipërfaqësore duke mos ngritur probleme apo shqetësimet që ato kanë. Ka gjykata të cilat nuk i shoqërojnë situacionet me relacion shpjegues, pothuajse gjatë gjithë vitit, edhe pse u është kërkuar që ato të shoqërohen me relacion, duke i ndihmuar në këtë drejtim edhe me një model standard raportimi.
  • Vihen re vonesa në raportimet e kryera nga gjykatat të cilat ato i lidhin me vonesat në shërbimin postar apo mungesën së shërbimit të internetit në to. Kjo bën që për shpejtësi, informacioni në disa raste të merret edhe me telefon, e cila mund të sjellë në ndonjë rast edhe gabime si dhe të rrisë koston e shpenzimeve telefonike dhe bërjen joefektive të kohës së punës.
  • Lidhur me regjistrin e Prokurimeve, pavarësisht se u është tërhequr vëmendja gjykatave gojarisht, përsëri ka gjykata të cilat paraqesin jo të plotë formularët e regjistrave apo pa firmë dhe vulë nga titullari i saj. Për shkak të respektimit të afateve ligjore të raportimit kemi qenë të detyruar t’i anashkalojmë këto mangësi, për momentin, duke menduar plotësimin në vazhdimësi të tyre.

Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© 2014 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor

Vendodhja : Gjykata për Krimet e Rënda
Rruga Jordan Misja Tiranë, Albania
Tel./ Fax. 00355 4 22 48 645