Zbatimi i detyrave funksionale

Në zbatim të Ligjit Nr.8363, datë 01.07.1998, “Për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”, Rregullores së Zyrës si dhe Programit të Punës, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për vitin 2009 ka ndjekur dhe realizuar detyrat si më poshtë vijon:

1. Është realizuar detajimi i fondeve buxhetore të akorduara për paga, sigurime shoqërore, shpenzime, për mallra e shërbime dhe investime; për çdo gjykatë. Në funksion të kësaj, janë hartuar dhe dërguar gjykatave, në muajin Janar, tabelat e detajimit të fondeve sipas artikujve dhe për investimet të ndara sipas objekteve. Gjithashtu u është dërguar gjykatave lista e pajisjeve të miratuara për vitin 2009.

2. Është punuar për hartimin dhe dërgimin në Agjencinë e Prokurimit Publik të Regjistrit Përmbledhës të Parashikimit të Prokurimeve Publike, për shpenzimet operative dhe investimet, për vitin 2009. Në muajin Janar, u janë dërguar gjykatave për plotësim formularët e regjistrit të parashikimit të prokurimeve publike për shpenzimet operative dhe investimet për vitin 2009. Është grumbulluar nga gjykatat informacioni për prokurimet që do të kryhen si dhe është hartuar dhe dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik, brenda afatit të përcaktuar, Regjistri Përmbledhës i Parashikimit të Prokurimeve Publike për Pushtetin Gjyqësor për vitin 2009. Një kopje e këtij regjistri është dërguar edhe në Degët e Thesarit nëpër rrethe.

3. Në muajin Shkurt është realizuar rakordimi përfundimtar i fondeve buxhetore dhe jobuxhetore të akorduara dhe realizuara për Pushtetin Gjyqsor për vitin 2008, për çdo gjykatë për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative, investime dhe të ardhura. Materiali përfundimtar është paraqitur pranë Drejtorisë së Thesarit në Ministrinë e Financave, brenda afatit të përcaktuar (25 Shkurt). Ky rakordim në vazhdimësi është kryer çdo 4/mujor, për të saktësuar shifrat midis Z.A.B.GJ-së dhe Ministrisë së Financave në funksion të rakordimit në fund të vitit buxhetor.

4. Rakordimi i fondeve buxhetore të akorduara për Pushtetin Gjyqsor për vitin 2008. Në periudhën Shkurt-Mars është kryer rakordimi i fondeve buxhetore të akorduara për vitin 2008 si me gjykatat ashtu edhe Drejtorinë e Buxhetit në Ministrinë e Financave, proces ky i cili ka përfunduar brenda afateve të caktuara (20 Mars).

5. Është kryer Hartimi dhe mbyllja e llogarisë vjetore të Z.A.B.GJ. dhe Bilancit Përmbledhës të Pushtetit Gjyqsor, për vitin 2008. Në muajin Shkurt është hartuar mbyllja e llogarisë vjetore të Z.A.B.Gj-së për vitin 2008. Një kopje e saj është dorëzuar në Degën e Thesarit të Rrethit, në datën 19.02.2009, brenda afateve të përcaktuara nga Ministria e Financave. Gjithashtu në periudhën Shkurt - Mars është punuar për mbylljen e llogarisë vjetore të vitit 2008, për Pushtetin Gjyqësor. Nga specialisti i Zyrës, në zbatim të Udhëzimit të Ministrisë së Financave nr.14, datë 28.12.2006 “Për përgatitjen e pasqyrave financiare vjetore të vitit 2006”, të ndryshuar, është punuar për kontrollin e bilancit të çdo gjykate, duke bere në bashkëpunim me K/D/Buxhetit edhe korrigjimet e nevojshme në to. Bilanci Përmbledhës për Pushtetin Gjyqësor, është paraqitur në Ministrinë e Financave, në datën 16.04.2009, brenda afatit të përcaktuar dhe nuk ka patur vërejtje lidhur me të.

6. Gjatë muajit Shkurt është punuar dhe u janë dërguar gjykatave udhëzime dhe formularë të cilët do të përdoren në punën e tyre gjatë vitit si:

  • Udhëzimi për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2009.
  • Formularët bazë për raportimin e fondeve buxhetore dhe jo buxhetore.
  • Formulari baze i Regjistrit të Realizimit të prokurimeve publike.
  • Formulari bazë i realizimit të investimeve sipas prokurimeve.
  • Formularët bazë të monitorimit.

7. Në periudhat Mars - Maj dhe Korrik-Gusht është punuar për dorëzimin në Ministrinë e Financave të Programit Buxhetor Afatmesëm për Pushtetin Gjyqësor për periudhën 2010-2012, në dy faza. Në muajin Mars, gjykatave iu dërgua udhëzimi së bashku me orientimet për hartimin e PBA-së për periudhën 2010-2012. Projekt-buxhetet e paraqitura nga gjykatat, u rishikuan nga specialistët e Zyrës dhe u dorëzua në Ministrinë e Financave brenda datës 30 Prill, faza e parë e PBA 2010-2012. Në fazën e tij të dytë në muajin Gusht, u bënë edhe plotësimet e nevojshme sipas udhëzimit të ministrisë për këtë qëllim, duke përfshirë edhe ndryshimet ligjore në pagat e gjyqtarëve dhe administratës. Projekt-buxhetet e paraqitura nga gjykatat, kanë shfaqur mangësi të cilat janë korrigjuar dhe plotësuar nga specialistët e Zyrës. Por, duke qenë viti i parë, që gjykatat u përfshinë plotësisht në procesin e hartimit të buxhetit për një periudhë 3/vjeçare, dhe në pjesën me të madhe gjykatat qëndronin në të njëjtin nivel, u pa e arsyeshme hartimi dhe dërgimi i një materiali përmbledhës ku u evidentuan mangësitë e vërejtura dhe problemet e dala.

8. Është ndjekur në mënyrë kronologjike ecuria e fondeve buxhetore korrente dhe kapitale për çdo gjykatë. Kjo, nëpërmjet përgatitjes çdo muaj në mënyrë analitike, të pasqyrave përmbledhëse për pagat, sigurimet shoqërore, shpenzimet operative dhe investimet. Gjithashtu janë ndjekur gjatë vitit të ardhurat e grumbulluara nga gjykatat dhe përdorimi i tyre. Është hartuar tabelë përmbledhëse për to. Në lidhje me raportimet periodike të kryera nga gjykatat, vihet re një përmirësim në punën e bërë prej tyre si dhe një respektim më i mirë i afateve të përcaktuara, si rrjedhojë e komunikimit elektronik me to. Ajo që duhet të theksohet është se gjykatat kanë akoma punë për të bërë në drejtim të përmirësimit të relacioneve shpjeguese bashkëlidhur raporteve, për një evidentim më të mirë të situatës buxhetore dhe problematikës së gjykatave në drejtim të fondeve buxhetore.

9. Është ndjekur nga specialisti i financës, ecuria e fondeve buxhetore për Z.A.B.GJ-në si dhe janë kryer regjistrimet në librat kontabël për aktivitetin e saj.

10. Janë realizuar në kohë detyrimet ligjore për raportimin në Agjencinë e Prokurimit Publik të:

  • Regjistrit Përmbledhës të Realizmit të Prokurimeve, për Pushtetin Gjyqësor - çdo 4/mujor.
  • Ndryshimeve të kërkuara nga gjykatat, në regjistrat e parashikimit të prokurimeve, gjatë vitit.

11. Janë realizuar në kohë detyrimet ligjore për raportimet në Ministrinë e Financave të:

  • Raporteve të monitorimit, formatet 6-7-8-9-10, për Pushtetin Gjyqësor në nivel artikulli, programi, produkti dhe aktiviteti / Drejtoria e Buxhetit - çdo 3/mujor.
  • Raportimi i realizimit të investimeve sipas objekteve të prokurimit, programit, projekteve dhe matricave të monitorimit të tyre / Drejtoria e Menaxhimit të Investimeve Publike / çdo 3/mujor.
  • Shpenzimet në valute - çdo muaj.

12. Është marrë pjesë në realizimin e prokurimeve të realizuara nga ZABGJ për këto objekte:

  • Hartimi i projektit për rikonstruksionin e plotë të godinës së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
  • Hartimi i projektit për përshtatjen e ish-shtëpisë së oficerëve në godinë të Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Pogradec.
  • Hartimi i projekt-zbatimit për ndërtimin e godinës së Gjykatës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
  • Hartimi i projekt-zbatimit për ndërtimin e godinës së Gjykatës së Apelit Shkodër.
  • Hartimi i projekt-zbatimit për ndërtimin e godinës së Gjykatës së Rrethit Shkodër.
  • Blerje pajisje elektronike për gjykatat dhe ZABGJ-në.
  • Ndërtimi i godinës së re të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

13. Është punuar për përgatitjen e materialeve të paraqitura në mbledhjet e Bordit Drejtues, të zhvilluara gjatë vitit 2009 (9 mbledhje Bordi).

14. Në muajin Dhjetor, është punuar për plotësimin e pyetsorit të BE-së, nëpërmjet pjesëmarrjes në Grupin e Punës. ZABGJ ka realizuar përgjigjen e 6 pyetjeve të përcaktuara për gjyqësorin, 1 në kapitullin e Kriterit Politik dhe 5 në Kapitullin 23 „Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore“. Në 3 nga këto pyetje ZABGJ ishte në rolin e kontribuesit dhe në 3 të tjera në rolin e liderit. Gjithashtu është marrë pjesë në takimet e zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë për diskutimet lidhur me përgjigjet e të gjithë pyetjeve për këto 2 kapituj.

Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© 2014 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor

Vendodhja : Gjykata për Krimet e Rënda
Rruga Jordan Misja Tiranë, Albania
Tel./ Fax. 00355 4 22 48 645