Shpenzime operative

Fondi i akorduar nga buxheti i shtetit për shpenzime operative është 244,240 mijë lekë dhe u realizua në masën 99%. Ky fond është përdorur nga gjykatat për mbulimin e shpenzimeve për udhëtime-dieta, materiale e shërbime zyre, shërbime bazë, shërbime transporti, mirëmbajtje të zakonshme, avokatë, ekzekutime vendimi, shpenzime për aktivitete sociale etj. Në këtë nivel realizimi ka ndikuar mospërdorimi i fondit të parashikuar për zhvillimin e Konferencës Gjyqësore në muajin Dhjetor si edhe diferencat në fonde në gjykata si rezultat i prokurimeve të kryera në to.

Rialokimi në shpenzimet operative

Fondi i akorduar për shpenzime operative për vitin 2008, plotësonte 92% të kërkesës në projekt-buxhet. Nga analiza e shpenzimeve të gjykatave, për 4/mujorin e parë të vitit, rezultoi se fondet e akorduara për shpenzime operative ishin të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat deri në fund të vitit. Kjo, pasi pjesa kryesore e shpenzimeve operative, e cila lidhet drejtpërdrejtë me funksionimin e aktivitetit të gjykatës, si letër, shtypshkrime, tonera, shpenzime për energjinë, shpenzime për dieta për gjyqtarët, shpenzime për avokatë të thirrur kryesisht, nuk mund të reduktoheshin, pasi kjo do të sillte pengesa serioze në funksionimin e gjykatave. Një situatë e tillë u pasqyrua edhe në kërkesat e paraqitura nga gjykatat për fonde shtesë, në shpenzime operative, në shumën totale 17,000 mijë lekë. Mbështetur në kërkesat e gjykatave dhe analizën e bërë nga specialistët për shpenzimet operative, në muajin Qershor u hartua dhe u paraqit në Ministrinë e Financave kërkesa për fonde shtesë për këto shpenzime.

Mbulimi i nevojave të gjykatave për fonde shtesë u realizua nëpërmjet:

Akordimit nga Buxheti i Shtetit të fondit 10,000 mijë lekë, për shpenzime operative, miratuar me Ligjin nr.9969, datë 24.07.2008 "Për disa ndryshime në ligjin nr.9836, datë 26.11.2007 "Për buxhetin e shtetit të vitit 2008", për shpenzime operative për Pushtetin Gjyqësor". Ky fond së bashku me fondin 1,793 mijë lekë të mbetur nga Gjykata e Apelit Ushtarak për shkak të mbylljes së aktivitetit të saj në muajin Gusht, u detajua për plotësimin e kërkesave të gjykatave për:

  • Materiale të përgjithshme zyre si: letër, shtypshkrime, tonera etj. në vlerë totale rreth 900 mijë lekë. Këto shpenzime janë në funksion të zhvillimit të proceseve gjyqësore dhe për pasojë janë të domosdoshme për realizimin e gjykimit të tyre.
  • Shpenzime për avokatë, ekspertë dhe detyrime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore në vlerë totale 2,700 mijë lekë. Kjo kategori shpenzimi është konsideruar si më prioritare duke marrë në konsideratë rëndësinë që ka pjesëmarrja e avokatëve dhe e ekspertëve të thirrur kryesisht nga gjykatat në ecurinë e proceseve gjyqësore dhe përfundimin në kohë të tyre.
  • Shpenzime për udhëtim e dieta për pagesën e gjyqtarëve të komanduar si dhe për trajnimin e tyre nga Shkolla e Magjistraturës, në vlerë totale rreth 3500 mijë lekë.
  • Shërbime bazë ku përfshihen shpenzimet për energji, ujë, shpenzime postare etj. në vlerë totale rreth 4,500 mijë lekë.
  • Likuidimin e faturave që mund të paraqiteshin në vijim për Gjykatën e Apelit Ushtarak. Për këtë u la një fond 193 mijë lekë në fondin e shpenzimeve të ZABGJ-së.

Analiza e detajuar e shpenzimeve operative për Pushtetin Gjyqësor për vitin 2008

Shpenzimet operative për gjykatat për vitin 2007-2008

000/leke

Nr Emërtimi Viti 2007 Viti 2008 % ndryshimit
1 Materiale dhe shërbime zyre 50309 55.106 9.5
2 Shërbime 66527 71.026 6.7
3 Shpenzime transporti 41586 52.433 26
4 Shpenzime mirëmbajtje zakonshme 14491 10.549 -27
5 Udhëtim e dieta 21225 22.335 5
6 Avokate 15934 15.446 -3
7 Shërbime të tjera speciale 12619 13.988 11
TOTALI 222691 240.883 8

"Materiale e Shërbime Zyre", për vitin 2008, përbën 23% të fondit total, për shpenzimeve operative, dhe është përdorur nga gjykatat për mbulimin e nevojave për: kancelari, shtypshkrime, letër, bojë printeri dhe fotokopje, karburant për kaldaja dhe gjeneratorë, abonimet në gazeta dhe fletore zyrtare dhe internet. Prokurimi i këtyre shpenzimeve është realizuar konform akteve ligjore në fuqi, për prokurimin e fondeve buxhetore. Për këtë grup shpenzimesh, vihet re një rritje 9.5 % kundrejt vitit 2007. Në tabelën e mëposhtme zëri "Të tjera" që ka qënë në vitin 2007 është pasqyruar i detajuar si "Materiale rutinë"; "Internet"; "Gaz ose dru zjarri". Vlera e tyre për vitin 2008 është 5055 lekë në krahasim me vitin 2007 që ishte 5283 lekë. Shihet se ka një ulje në shpenzimet për këtë zë në masën 4%.

Materiale dhe shërbime zyre për vitin 2007-2008

000/leke

Nr Emërtimi Viti 2007 Viti 2008 % ndryshimit
1 Materiale baze 23.901 29.764 24.5
2 Materiale pastrimi 2.178 2.762 26.8
3 Abonime, libra publikime, njoftime 11.477 10.516 -8
4 Veshje, uniforma 53 1.301
5 Karburant për kaldaje 3.611 3.429 -5
6 Karburant për gjeneratorë 3.806 2.279 -40
7 Materiale rutinë 2626
8 Internet 2.003
9 gaz ose dru zjarri 406
10 Te tjera 5.283 5.055 -4
TOTALI 50.309 55.106 9.5

- "Materiale bazë", në këtë grup bëjnë pjesë shpenzimet e kryera nga gjykatat për: kancelari, letër, tonera, shtypshkrime. Për këto shpenzime, ka një rritje rreth 24.5% kundrejt vitit 2007. Kjo ka ndodhur pasi ka një rritje të çështjeve nga viti 2007. Konkretisht për vitin 2007 ka pasur 70126 çështje të pranuara dhe 55900 çështje të shqyrtuara dhe për vitin 2008 ka pasur 104486 çështje të pranuara dhe 68659 çështje të shqyrtuara.

- Përsa i përket shpenzimeve për "Veshje, Uniforma", gjatë vitit 2008, kanë shpenzuar fonde 13 gjykata. Gjykatat kanë plotësuar, në masë të madhe, nevojat e tyre, gjatë vitit 2004, ndërkohë që, në periudhën 2005-2007, nuk është investuar në pajisjen me uniforma të tyre. Mbështetur në planin e hartuar nga Zyra, për zëvendësimin e tyre minimalisht në një periudhë 5/vjeçare, gjatë vitit 2008, pati nje rritje të kërkesave dhe njëkohësisht të shpenzimeve të gjykatave për këtë zë në masën 1301 mijë lekë.

Në zërin "Shpenzimet për karburant për sisteme ngrohje dhe gjeneratorë", për vitin 2008, ka një ulje 5% shpenzime në "karburant për kaldajë" dhe një ulje prej 40% në "karburant për gjeneratorë". Arsyeja e uljes së shpenzimeve për këtë zë është se në vitin 2008 nuk ka pasur kufizim energjie.

"Shërbime", për vitin 2008 përbën 29%, të fondit total për shpenzime operative, dhe është përdorur nga gjykatat për mbulimin e nevojave për: energji elektrike, ujë, telefon etj.

Shërbime për vitin 2007-2008

000/leke

Nr Emërtimi Viti 2007 Viti 2008 % ndryshimit
1 Energji elektrike 16557 22.208 34
2 Ujë 2.941 2.969 1
3 Telefon, faks 28.534 25.621 -10
4 Shpenzime postare 17.304 19.733 14
5 Te tjera (komision bankar) 1.191 495 -58
TOTALI 66527 71.026 7

- Në këtë grup të shpenzimeve, vihet re një rritje e shpenzimeve të kryera, nga gjykatat, për "Energji elektrike" dhe "Shpenzime postare". Në rritjen e shpenzimeve, për energji elektrike, ka ndikuar rritja e konsumit të energjisë elektrike. Gjatë vitit 2008 këto shpenzime janë rritur në masën 22.208, në vlerë absolute, ose 34% kundrejt vitit 2007. Kjo rritje vjen si rezultat i shtimit të pajisjeve elektronike dhe elektrike. Për shkak të informatizimit të punës në gjykatë, detyrimit ligjor për zbardhjen në kohë të vendimeve gjyqësore dhe funksionimit normal të aktivitetit të Gjykatave, pajisja e të gjitha sekretareve me kompjutera dhe printera, rritja e numrit të çështjeve dhe të aktivitetit të gjykatave, në përgjithësi, u shoqërua edhe me një konsum më të madh të energjisë elektrike. Rritja e konsumit të energjisë elektrike, në vitin 2008, ndihet edhe për faktin se në vitin 2007 kemi pasur më shumë konsum të karburantit për gjeneratorët, për arësye të mungesës së energjisë. Ulja e konsumit të karburantit për gjeneratorë, në vitin 2008, është shoqëruar me rritje të konsumit për energji elektrike.

- Përsa i përket "Shpenzimeve postare", megjithë alternimin e njoftimeve, me anë të ftuesve gjyqësorë, përsëri mbetet e lartë nevoja për shpenzime postare, për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Kodi i Procedurës Civile apo Penale. Këta shpenzime kanë një rritje 14%, kundrejt vitit 2007, si rezultat edhe i rritjes së numrit të çështjeve civile. Në vitin 2007 ka pasur 59.465 çështje civile dhe në vitin 2008 ka pasur 76.482 çështje civile. Ka një rritje në masën 29%.

- Përsa i përket "Shpenzimeve telefonike", vihet re një ulje rreth 10%, kundrejt vitit 2007. Kjo ulje është rezultat i masave të marra, që prej vitit 2006, si nga Zyra ashtu edhe nga gjykatat, për një kontroll rigoroz të tyre.

"Shpenzime Transporti", për vitin 2008, përbën 22%, të fondit total për shpenzime operative, dhe është përdorur nga gjykatat për mbulimin e nevojave për: karburant dhe vaj, pjesë ndërrimi, goma, siguracion makine, shpenzime për mirëmbajtjen e automjeteve etj.

Shpenzime transporti për vitin 2007-2008

000/leke

Nr Emërtimi Viti 2007 Viti 2008 % ndryshimit
1 Karburant dhe vaj 27.491 31.684 15
2 Pjese këmbimi 9.331 11.839 27
3 Shpenzime siguracion makine 4.243 3.703 -13
4 Larje makine 521 573 10
TOTALI 41.586 47.799 15

Në këtë grup shpenzimesh, vihet re një rritje e shpenzimeve për karburant dhe pjesë këmbimi për automjete. Përsa i përket shpenzimeve për karburant në rritjen e tyre ka ndikuar rritja e çmimit të karburantit gjatë vitit 2008 dhe shpenzimet e kryera nga gjykatat e rretheve: Dibër, Lezhë, Berat, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, për transportin e gjyqtarëve dhe administratës që gjykojnë në godinat e gjykatave që u është mbyllur aktiviteti. Rritja e shpenzimeve për pjesë këmbimi është e lidhur me amortizimin e automjeteve.

"Shpenzime për mirëmbajtje të zakonshme", për vitin 2008, përbën 6% të shpenzimeve dhe në të evidentohen: shpenzimet për mirëmbajtje godine, mirëmbajtjen e pajisjeve elektronike si dhe mirëmbajtjen e automjeteve.

Shpenzime mirëmbajtje për vitin 2007-2008

000/leke

Nr Emërtimi Viti 2007 Viti 2008 % ndryshimit
1 Mirëmbajtje godine 5.720 4.381 -23
2 Mirëmbajtje pajisje elektronike 4.549 6.168 35
3 Mirëmbajtje automjete 3.666 4.634 26
TOTALI 13.935 15.183 9

- Në këtë grup vihet re një ulje e konsiderueshme e shpenzimeve të gjykatave për "Mirëmbajtje godine". Në uljen e shpenzimeve, në këtë zë, kanë ndikuar investimet që janë bërë me fondet e buxhetit të shtetit dhe fondet e BE-së në disa godina gjykatash. Janë ndërtuar godina të reja si: Gjykata e Apelit Korçë, Gjykata e Apelit Vlorë, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Është bërë rikonstruksion i plotë për Gjykatën e Rrethit Lushnjë, Krujë, Dibër, Sarandë. Në projektbuxhetin afatmesëm të vitit 2009-2011 janë projektuar 5 rikonstruksione godinash, kjo ka bërë që për godinat ekzistuese të mos bëhen shpenzime në këtë zë.

- Në shpenzimet operative, për mirëmbajtjen e pajisjeve elektronike, për vitin 2008, shihet një rritje e këtij zëri në masën 35% nga viti 2007. Në materialet elektronike dhe elektrike një vlerë të madhe zë "Mirëmbajtje kompjuteri" në vlerën 2114. Gjykata e Rrethit Durrës, Fier, Tiranë dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve e rëndojnë këtë zë pasi kanë edhe kompjutera të vjetër, ndonëse vit pa viti ato zëvendësohen. Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda deri në shtator të vitit 2008 ka qënë në Godinën e Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe ka pasur kompjutera të vjetër. Në këtë ndikojnë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e rrjetit, të programeve dhe të internetit. Specialistët IT në gjykata kanë mbuluar shërbime rutinë, defekte të vogla, instalimet e softeve, menaxhimin e programeve dhe faqeve të internetit, duke kursyer fondet, që gjykatat përdornin për këto shërbime që kryheshin në servis kundrejt pagesës.

- Zëri "Mirëmbajtje automjeti" ka një rritje në masën 26%.

"Udhëtim e dieta", për vitin 2008 përbën 9% të shpenzimeve operative dhe në këtë zë evidentohen shpenzimet për: dieta administrative, dieta për lëvizjet e gjyqtarëve, dieta për trajnime, dieta për Kolegjin Zgjedhor. Në uljen e këtyre shpenzimeve ka ndikuar fakti se për vitin 2008 nuk ka pasur Kolegj Zgjedhor.

Nr Emërtimi Viti 2007 Viti 2008 % ndryshimit
1 Dieta për Administratën 63% 61% -2
2 Dieta për Gjyqtarët e komanduar 20% 27% 7
3 Dieta për transport 12% 12%
4 Dieta për k/sekretaret 4% 0%

 Dietat për komandime kanë rritje 7% sepse në vitin 2008 gjyqtarët kanë gjykuar në godinat e tetë gjykatave, aktiviteti i të cilave u mbyll në vitin 2007.

"Shpenzime për avokatë", për vitin 2008, 15.446 lekë përbën 6,5% të totalit të shpenzimeve operative, dhe përfshihen pagesat e bëra nga gjykatat për avokatët e thirrur kryesisht nga gjykata. Ky është një detyrim ligjor, që rrjedh nga zbatimi i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit avokati përcaktohet kryesisht për rastet kur: i pandehuri nuk ka zgjedhur mbrojtës dhe është në mungesë, kur i pandehuri është nën moshën 18 vjeç ose është me të meta fizike apo psikike, që e pengojnë për të realizuar vetë të drejtën e mbrojtjes dhe nuk e ka zgjedhur mbrojtësin.

"Shpenzime të tjera speciale", për vitin 2008, përbën rreth 8%, në totalin e shpenzimeve operative, dhe në të evidentohen shpenzimet për: pagesën për aktivitete sociale, shpenzime për ekzekutime vendimi dhe pagesa për ekspertë.

Analiza e investimeve në gjykata - tendenca e zhvillimit, modernizimi, informatizimi i sistemeve të gjykimit dhe administrimit të çështjeve gjyqësore, pajisjet bashkëkohore, me të cilat janë pajisur gjykatat - na çon në përfundimin se për ruajtjen e këtyre standardeve, për vitet në vazhdim, do të duhen më shumë fonde. Për më tepër, që për këta vite gjykatat janë mbuluar edhe nga donacione apo investimet e bëra nga Komuniteti Europian. Apo që pajisjet kanë qenë të reja dhe nuk kanë pasur nevojë për mirëmbajtje. Por që, në një kohë të dytë, ato do të kenë nevojë për shpenzime, për mirëmbajtjen e tyre, si të pajisjeve elektrike dhe elektronike, sistemeve kompjuterike, faqeve të internetit, programeve menaxhuese, godinave të vjetra apo të reja të ngritura sipas standardeve europiane. Për të ruajtur këta standarde, për të siguruar vazhdimësinë e punës në gjykata, transparencën dhe informimin në kohë reale për publikun, nëpërmjet faqeve të internetit, duhet të jenë eficent të gjithë këta aksesorë. Dhe për këtë do të duhen më shumë fonde buxhetore të shpenzimeve operative. Tendenca e fondeve të shpenzimeve operative do të jetë në rritje. Ky është konkluzioni në të cilin arrijmë duke analizuar situatën.

Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© 2014 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor

Vendodhja : Gjykata për Krimet e Rënda
Rruga Jordan Misja Tiranë, Albania
Tel./ Fax. 00355 4 22 48 645