Historiku

Deri në vitin 1995 aktiviteti ekonomiko-financiar i gjykatave varej nga Ministria e Drejtësisë. Kjo Ministri përpunonte treguesit ekonomiko-financiar të gjyqësorit si dhe planifikonte fondet buxhetore për çdo gjykatë, të cilat, pasi aprovoheshin nga Parlamenti, ia akordonte çdo njësie të gjyqësorit. Nga ana e kësaj Ministrie bëhej dhe kontrolli i përdorimit të fondeve buxhetore nga gjykatat.

Për të rritur pavarësinë e pushtetit gjyqësor, me kërkesë të vetë gjykatave, në vitin 1996, fondet buxhetore u akorduan nga Parlamenti për secilën gjykatë. Por në të njëjtën kohë, kontrolli i përdorimit të tyre bëhej nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë kontekst, kufizohej pavarësia e gjyqësorit në Shqipëri dhe inkurajohej ndërhyrja e ekzekutivit tek gjyqësori.

Kështu lindi ideja e një njësie e cila do të siguronte administrim të pavarur të fondeve të gjyqësorit dhe do të ndihmonte në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Kjo ide u konsolidua edhe gjatë vizitës studimore të bërë nga një grup ekspertësh shqiptarë, për të parë organizimin dhe operimin e Zyrës së Administrimit në ShBA – vizitë e organizuar nga ABACEELI. Ky grup hartoi projektligjin për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, që përfshinte eksperiencën amerikane të adoptuar në kushtet e Shqipërisë dhe me oponencën e ABACEELI-it.

Në kuadrin e reformës institucionale dhe demokratizimit të shoqërisë shqiptare, më 1 korrik 1998, Parlamenti aprovoi Ligjin nr.8363 “Mbi krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”. Krijimi i Zyrës mundëson menaxhimin nga ana e gjyqësorit të fondeve buxhetore, akorduar atij, si dhe të gjithë fondeve të tjera, që i akordohen gjyqësorit nga donatorë të ndryshëm si brenda dhe jashtë vendit, duke e shndërruar atë në një ent vetadministrues. Kjo Zyrë studion e përpunon nevojat e gjyqësorit për fonde, i paraqet dhe i mbron ato në Qeveri, Komision Ekonomik dhe Parlament si dhe ndjek detajimin dhe realizimin e fondeve për çdo njësi gjyqësore.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionoi të drejtën e Gjykatave për të menaxhuar buxhetin e tyre, ku në nenin 144 të saj thuhet: “Gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e administrojnë vetë. Ato e propozojnë buxhetin e tyre sipas ligjit.” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 të Kuvendit Popullor. Miratuar me referendum më 22.11.1998. Shpallur me dekretin nr. 2260, datë 28.11.1998 të Presidentit të Republikës)

Zyra filloi aktivitetin e saj më 22 tetor 1998, me kompetencat e një personi juridik.

Veprimtaria

Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor zhvillon veprimtarinë e saj në bazë të Ligjit Nr. 8363, datë 01.07.1998 “Për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”, akteve ligjore dhe nënligjore të shtetit shqiptar dhe veçanërisht ligjit të buxhetit të shtetit dhe ligjit mbi planin unik kontabël, si dhe Rregullores së Zyrës.

Statusi institucional

ZABGJ është person juridik publik, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e së cilës janë të përcaktuara në ligj.

Selia

ZABGJ e ka selinë në adresën Rruga “Jordan Misja”, Gjykata e Krimeve të Rënda, Tiranë.

Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© 2014 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor

Vendodhja : Gjykata për Krimet e Rënda
Rruga Jordan Misja Tiranë, Albania
Tel./ Fax. 00355 4 22 48 645