Fondi i kërkuar dhe i akorduar për Pushtetin Gjyqësor

Fondi i kërkuar dhe i akorduar

000/lekë

Nr Emërtimi Buxheti 2008 Kërkesa 2009 Akorduar 2009 % kundrejt kërkesës % kundrejt vitit 2008
1 Shpenzime personeli 1.015.500 1.200.000 1.200.000 1 1.18
2 Transferim tek individi 230.000 22.000 22.000 1
3 Shpenzime operative 240.000 274.000 252.000 92 1.05
4 Investime 60.000 195.000 164.000 84 2.73
Totali 1.315.500 1.691.000 1.638.000

Në zbatim të Ligjit Nr.10025, datë 24.11.2008 "Për buxhetin e shtetit të vitit 2009", Pushtetit Gjyqësor iu akorduan fondet buxhetore si më poshtë:

000/lekë

Nr Emërtimi Kërkesa 2009 Buxheti 2009
1 Paga dhe sigurime shoqërore 1.200.000 1.200.000
2 Mallra dhe shërbime 274.000 252.000
3 Transferime tek individët 22.000 22.000
4 Projekt 10.350 10.350
5 Investime 184.650 154.000
TOTALI 1.691.000 1.638.350

Këto fonde, gjatë muajit Dhjetor, u detajuan për plotësimin e nevojave të çdo gjykate në paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative dhe investime.

 

Paga dhe sigurime shoqërore

Fondi i akorduar nga buxheti i shtetit, për këtë zë, për vitin 2009, është 1,200,000 mijë lekë dhe i njëjtë me kërkesën  që u bë në Projekt-Buxhet. Në këtë mënyrë, detajimi i këtij fondi nuk paraqiti probleme për plotësimin e nevojave të gjykatave.

Shpenzime operative

Fondi i miratuar për shpenzime operative është 252,000 mijë lekë. Ky fond është rreth 5% më i lartë se buxheti i akorduar për vitin 2008, (përfshirë këtu edhe buxhetin suplementar) dhe përbën rreth 91% të kërkesës së paraqitur në Projekt-Buxhet.

Në kushtet kur fondi i akorduar, për këtë zë të shpenzimeve, ishte 22,000 mijë lekë më i ulët se kërkesa, për detajimin e tij ishte i nevojshëm rishikimi i buxhetit për shpenzime operative, në këtë fazë të parë.

Detajimi i buxhetit për shpenzime operative u krye mbështetur në këto parime:

  •     Detajimi i këtij fondi, për mbulimin e aktivitetit të gjykatave për disa grupe kryesore si:
    • Materiale dhe shërbime zyre në shumën 62,000 mijë lekë.
    • Shërbime bazë në shumën 71,000 mijë lekë.
    • Shpenzime për mirëmbajtje të zakonshme në shumën 21,000 mijë lekë.
    • Avokatë të thirrur kryesisht nga gjykatat dhe ekspertë në shumën 20,000 mijë lekë.
    • Shpenzime udhëtimi e dieta në shumën 20,800 mijë lekë.
    • Shpenzime për Konferencën Gjyqësore Kombëtare në shumën 1,500 mijë lekë.
  • Pjesa e pa akorduar e kërkesës për shpenzime operative, në masën 22,000 mijë lekë, në këtë fazë të detajimit të buxhetit, u mendua të mbulohet duke reduktuar shpenzimet në dy grupe si:
    • Mirëmbajtje e programit të menaxhimit të çeshtjeve gjyqësore, internet, intranet dhe faqe Web. Nga informacioni që Zyra ka, projekti i BE-së për Menaxhimin e Çështjeve Gjyqësore Civile dhe Penale, i cili do të realizojë instalimin në gjykata të shërbimit të internetit, intranetit dhe faqeve Web, nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye, është menduar që për këto shpenzime të detajohet një fond për 2 muajt e fundit të vitit, në vlerë rreth 3,700 mijë lekë. Fondi që do të reduktohet në total për këtë grup është rreth 16,928 mijë lekë.
    • Shpenzime transporti. Nga analiza e kryer lidhur me numrin e makinave që kanë në përdorim gjykatat dhe amortizimin e tyre, normativat e ndërrimit të gomave, specifika të ndryshme përsa i përket lëvizjeve në to si edhe realizimin e këtyre shpenzimeve në tre vitet e fundit, fondi i detajuar është 52,000 mijë lekë, duke reduktuar në këtë mënyrë kërkesën për këto shpenzime në masën 5,078 mijë lekë.

 Mbi këtë bazë, për detajimin e buxhetit të akorduar për vitin 2009, për çdo gjykatë janë marrë në konsideratë disa faktorë si:

  • Performanca e këtyre shpenzimeve gjatë vitit 2008 për çdo gjykatë
  • Struktura organike e gjykatave, veçanërisht numri i gjyqtarëve
  • Numri i çeshtjeve të gjykuara për periudhën 9-mujore të vitit 2008
  • Specifikat e veçanta të gjykatave si ndërtimi apo rikonstruksioni i plotë i 4 godinave të tyre, aktiviteti i gjykatave të riorganizuara etj.
  • Respektimi i fondit të akorduar sipas niveleve të përcaktuara me ligjin vjetor të buxhetit.

Investime

Fondi i akorduar, për investime për vitin 2009 është 164,350 mijë lekë, kundrejt kërkesës në Projekt-Buxhet 195,000 mijë lekë. Siç vihet re buxheti i akorduar plotëson 84% të kërkesës për investime.

Në kushtet e mosakordimit të plotë të fondit të investimeve, u krye rivlerësimi i parashikimeve të bëra në fazën e hartimit të projekt-buxhetit. Në këtë mënyrë, detajimi i fondit të investimeve për vitin 2009 është realizuar duke analizuar kërkesat e gjykatave si dhe duke marrë në konsideratë ndryshimet në situatën e investimeve deri në këtë moment.

Për sa më sipër, fondi i investimeve për vitin 2009 u detajua për ata elemente të konsideruar si më prioritare dhe konkretisht:

  • U detajua një fond 10,350 mijë lekë për hartimin e projekteve për gjykatat e rretheve Elbasan, Kukës,Pukë, Vlorë dhe Pogradec.
  • Fillimin e punimeve për ndërtimin e Gjykatës së Rrethit Korçë, në shumën 100,000 mijë lekë.
  • U detajua një fond, 2,940 mijë lekë, për investimin në nivel mirëmbajtje në 5 gjykata. Nevojat e gjykatave në këtë drejtim kanë qenë më të mëdha.
  • U trajtua si prioritet detajimi i një fondi prej 20,689 mijë lekë për plotësimin e nevojave të gjykatave me pajisje elektronike, në mbështetje të programit për menaxhimin e çështjeve gjyqësore të instaluar në to. Për shkak të buxhetit të reduktuar në investime, nuk ka qenë e mundur të plotësohen të gjitha nevojat e gjykatave në këtë drejtim.
  • Gjithashtu një fond prej 2,600 mijë lekë u detajua për pajisjen me stabilizatorë të 2 gjykatave, në mbështetje të Projektit të USAID-it i cili ka investuar në infrastrukturën elektronike të 10 gjykatave pilot.
  • U detajua një fond 18,000 mijë lekë për plotësimin e nevojave të gjykatave me elemente sigurie dhe pajisje të tjera të domosdoshme me qëllim krijimin e kushteve të punës dhe ruajtjen e standardeve bashkëkohore, të arritura tashmë në pjesën më të madhe të tyre.
  • U detajua gjithashtu fondi 9,700 mijë lekë për plotësimin e nevojave të gjykatave me 3 automjete.

Detajimi i fondeve u shoqërua edhe me plotësimin dhe dërgimin në Ministrinë e Financave / Drejtorinë e Thesarit dhe Buxhetit të tabelave përkatëse për këtë qëllim si një kërkesë e udhëzimeve në zbatim të ligjit vjetor të buxhetit të shtetit. 

Të gjitha të drejtat e rezervuara.
© 2014 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor

Vendodhja : Gjykata për Krimet e Rënda
Rruga Jordan Misja Tiranë, Albania
Tel./ Fax. 00355 4 22 48 645